Follow us on:

Ambasadori Faruk Ajeti ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier 

Berlin, 6 dhjetor 2021 - Në pallatin presidencial Bellevue në Berlin, Ambasadori i ri i Republikës së Kosovës në Gjermani, dr. Faruk Ajeti, ia ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, dr. Frank-Walter Steinmeier, duke u akredituar kështu si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Gjermani.

Ambasadori Ajeti gjatë ceremonisë akredituese u prit me nderime të larta shtetërore nga presidenti gjerman Steinmeier. 

Gjatë ceremonisë së akreditimit dhe audiencës Presidenti Steinmeier i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Ajeti me rastin e fillimit të misionit diplomatik në Berlin, duke shprehur konsideratën e tij të lartë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe duke vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën dhe përkushtimin e saj ndaj perspektivës euro-atlantike. 

Në një bisedë të përzemërt Presidenti Steinmeier dhe Ambasadori Ajeti diskutuan mundësitë e thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, ekonomik dhe kulturor. 

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Ajeti i përcolli Presidentit Steinmeier përshëndetjet e përzemërta të Presidentes së Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani-Sadriu, duke ritheksuar raportet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve. “Kosova dhe Gjermania kanë marrëdhënie speciale dhe do të kenë miqësi të përhershme. Gjermania mbetet për Republikën e Kosovës një partnere strategjike dhe aleat i dëshmuar historik i vendit dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Ambasadori Ajeti.

Në ceremoninë zyrtare në Pallatin Bellevue, Ambasadori Ajeti ishte i shoqëruar nga bashkëshortja. 

Ambasadori Ajeti është ambasadori i katërt i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë.