Follow us on:

Përkujtim për Ali Podrimjen

Pesë vjet pas ndarjes nga jeta, poeti Ali Podrimja është përkujtuar të enjten në një mbrëmje letrare-muzikore të mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris, në një rreth miqsh, familjarësh dhe admiruesish të tij kosovarë e francezë.

Paris, 14 shtator 2017

 

Pesë vjet pas ndarjes nga jeta, poeti Ali Podrimja është përkujtuar të enjten në një mbrëmje letrare-muzikore të mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris, në një rreth miqsh, familjarësh dhe admiruesish të tij kosovarë e francezë.



Thellësisht intime dhe e një ndjeshmërie që i jep karakter universal, poezia e Podrimjes – përkthyer në frëngjisht nga Alexander Zotos -  u interpretua në shqip nga aktori Simon Pitaqaj dhe në frëngjisht nga Catherine Jarrett, nën shoqërimin me kitarë të Vlashent Satës.

 

Podrimja u shua në 2012-ën,  gjatë pjesëmarrjes në festivalin "Zërat e Mesdheut" në Francë, që u mbyll në ton funebër nga vdekja e një prej të ftuarve më të shquar të tij. "Le të vijë vdekja | do më gjejë diku aty | nuk do të luaj vendit | do shikohemi si miq të vjetër" profetizonte poeti në "Flaka e kaltërt".

 

Një tjetër dimension i poezisë së Ali Podrimjes është elementi i rezistencës: “Ai frymëzoi një popull të vuajtur, në kërkim të lirisë kolektive dhe personale. Vargu ‘Kosova është gjaku im që nuk falet’ është përdorur nga aktivistët e rezistencës. Apo poezia ‘Unë biri yt Kosovë’ që evokon emocione edhe sot e kësaj dite. Thirrja e tij për rezistencë dhe qëndresë është universale. Është thirrje humaniste dhe emancipuese" - u shpreh ambasadori Qëndrim Gashi në fjalën përshëndetëse.

 

Kosova ishte një dashuri e madhe për Ali Podrimjen, ashtu sikurse ai është një dashuri e madhe për Kosovën që e ka vënë poetin e lindur në Gjakovë në panteonin e më të mëdhenjve të vet, për ta kujtuar e nderuar jetë e mot. Sepse, po në fjalët e Ali Podrimajt "krejt ç’është e bukur për dashurinë ende s’është thënë | prore mbetet diçka të thuhet  n’emër të një kohe në jetë – herët ose vonë."