Follow us on:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Budapest sënoi 12 vjetorin e Pavarësisë

19 Shkurt 2020,Ambasada e Republikës së Kosovës në Budapest organizoi pritjen solemne për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë. Në ambientet e Ambasadës, Ambasadori Kallaba së bashku me stafin diplomatik pritën bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Hungari, gjithashtu stafin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë si dhe studentët nga Kosova dhe Shqipëria.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Shpend Kallaba shprehi kënaqësinë dhe mirënjohjen e tij ndaj të pranishmëve duke theksuar se ne jemi brezi më fatlum i historisë tonë qindra vjeçare që po e jetësojmë pavarësinë e Kosovës për të cilën shumë njerëz u flijuan.

‘Ne, që sot jemi në këtë ambient të Ambasadës së RKS –se, përfaqësojmë brezin më fatlum të historisë sonë mbi 100 vjeçare.12 vjet të shtetit tonë të ri - janë 12 vjet të rritjes me vështirësi, me sfida po edhe me suksese të mëdha. Ne jemi shtet i vogël, por kemi pasur dhe kemi miq të mëdhenj. Përkrah nesh, kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë shtetet më të fuqishme të botës demokratike - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera perëndimore si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Hungaria dhe shumë shtete të tjera. Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij. Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të tilla janë Kosova dhe Shqipëria, vende te bekuara nga Zoti dhe miqtë’.

Tutje, Ambasadori Kallaba vlerësoi se Kosova ka orientme të qarta evropiane dhe perëndimore, duke porositur që të gjithë shqiptarët kanë për detyrë ti bëjnë Shqipërinë dhe Kosovën vende të begata për qytetarët e saj në mënyrë që ato të qëndrojnë përgjithmonë gardiane të lirisë, pavarësisë dhe prosperitetit për ata që i ndjejnë atdhe të tyre.

Mysafirët e pranishëm gjithashtu u falënderuan për nderin dhe pritjen e ARKSB-së duke u shprehur të lumtur që Kosova ka një adresë në vendin ku ata jetojnë, e cila është gjithmonë e hapur për ti ndihmuar dhe lartësuar qytetarët e saj.