Follow us on:

NJOFTIM!

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Hungarisë, nga data 15 korrik (E mërkurë), shtetet e ndryshme do të klasifikohen në tre kategori, të kuqe, të verdhë dhe jeshile, varësisht situatës/gjendjes aktuale me virusin Covid-19 në të cilën ndodhen. Në kategorinë e kuqe bënë pjesë edhe Kosova, që do të thotë, se shtetasit e Republikës së Kosovës që posedojnë vizë me afat kohorë deri 90 ditë, nuk mund të hyjnë në territorin e Hungarisë.
Kjo nuk vlen për ata shtetas, të cilët kanë leje-qëndrim (pavarësisht llojit të leje-qëndrimit, duke përfshirë edhe studentët, të cilët duhet të jenë të pajisur edhe me një vërtetim të posaçëm të institucionit ku studjojnë!) në Hungari me afat kohorë më shumë se 90 ditë, dhe për ata shtetas të cilët kalojnë transit nëpërmjet territorit të Hungarisë.
Për këta të fundit rregullat mbeten të njëjtat siç kanë qenë deri më tani, që do te thotë, se shtetasit me leje-qëndrim në Hungari, mund të hyjnë në territorin e Hungarisë pa leje policie. Pas hyrjes, bëhet një ekzaminim mjekësor. Nëse ka dyshime të infeksionit me Covid-19, shtetasit do të karantinohen në një vend të caktuar nga autoritet hungareze. Nëse nuk ka dyshime të infeksionit, atëherë do t’ju kërkohet të vet-izolohen për 14 ditë. Nga ky detyrim mund të përjashtohen, vetëm në se gjatë 5 ditëve të fundit para hyrjes në Hungari kanë kryer 2 teste negative të SARS-CoV-2, të cilat duhet të jenë në gjuhën hungareze apo angleze.
Për ata shtetas që kanë për qëllim kalimin transit nëpërmjet territorit të Hungarisë, këtë mund ta bëjnë pa kufizime kohore, nëse posedojnë leje-qëndrim apo vizë pune të ndonjë shteti të zonës Schengen. Ndërsa udhëtimet për qëllime turistike nuk lejohen, përpos në se dëshmohet bindshëm qëllimi i udhëtimit për nevoja tjera jo turistike në vendin e destinacionit të udhëtimit, dhe se njëkohësisht shteti fqinj me Hungari, nëpërmjet të cilit dëshirojnë të kalojnë, lejon udhëtimin e planifikuar.
Po ashtu e ritheksojmë, se gjatë kalimit transit lejohet shfrytëzimi vetëm i rrugës/autostradës përkatëse, me mundësi ndalimi vetëm në pikat e karburantit, dhe brenda 24 orëve duhet larguar nga territori i Hungarisë.
Çdo mos përfillje e rregullave të lartcekura, nënkupton gjobitje ose kthim mbrapa të qytetarëve.