Follow us on:

Ministrja Haradinaj-Stublla, gjatë takimit me homologun e saj Hungarez

28-30 Tetor 2020 - Me inicim të Ambasadës së Kosovës në Budapest, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës znj.Meliza Haradinaj-Stublla bashkë me delegacionin e saj ka qëndruar për vizitë zyrtare në Hungari, ku ka zhvilluar takime me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë z. Péter Szíjjártó dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit hungarez. Ministrja Haradinaj-Stublla, gjatë takimit me homologun e saj hungarez, diskutoi për raportet gjithpërfshirëse, duke shprehur vlerësimin e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti Hungarez i ka dhënë Kosovës. Ajo falënderoi shtetin hungarez edhe për ndihmën e ofruar në lufttën kundër pandemisë, duke dhuruar për Kosovën 50,000 maska për fytyrë, dhe 5,000 kostume mbrojtëse.

Në kuadër të këtij takimi, Ministrat nënshkruan tri marrëveshje dypalëshe: "Marrëveshjen midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për Promovimin dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve", " Programin e Bashkëpunimit mbi Shkencën dhe Arsimin e Lartë për vitet 2021-2023, si dhe "Memorandumin e Bashkëpunimit Brenda Kornizave të Bashkëpunimit të “Stipendum Hungaricum Programme” për vitet 2020-2023, në kuadër të së cilës do të rritet numri i bursave për studentët Kosovar nga 50 në 75 bursa në vit.

Gjatë vizitës së saj dy ditore, nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Budapest, Ministrja Haradinaj Stublla e shoqëruar edhe nga Ministri i Arsimit z.Ramë Likaj, Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Kosovës znj. Time Kadriaj dhe bashkë me Ambasadorin z. Shpend Kallaba dhe Ministrin Këshilltar z. Naser Idrizi, zhvilluan një takim edhe me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez z. Zsolt Németh, me të cilin diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit bilateral Kosovë-Hungari me theks të veçantë, rreth formalizimit të Grupit të Përbashkët Parlamentar të Miqësisë në mes të dy vendeve.

Në përgatitjen e agjendës zyrtare të Ministres Haradinaj-Stublla, Ambasada e Kosovës në Budapest kishte organizuar edhe një takim me studentët kosovar, të programit ‘Stipendum Hungaricum’ që janë duke vijuar studimet e larta në Hungari, të cilët në fillim Ambasadori Shpend Kallaba i prezantoi, dhe i vlerësoi lartë për të arriturat dhe avancimet e tyre shkencore dhe sjelljet e tyre shembullore, duke i quajtur Ambasador të vërtet të vendit tonë. Studentët e pranishëm patën rastin të takohen dhe bashkbisedojnë me Ministren Haradinaj-Stublla, Ministrin Likaj si dhe deputeten Kadriaj në përgjithësi rreth fushave të cilat ata i studiojnë, sfidave gjatë studimeve si dhe planeve për të ardhmen.