Follow us on:

Ambasadori z. Shpend Kallaba priti në Ambasadë një delegacion nga Komuna e Ferizajt

04 Nëntor 2020 – Ambasadori z. Shpend Kallaba priti në Ambasadë një delegacion nga Komuna e Ferizajt të cilët ishin në një vizitë zyrtare në Budapest. Delegacioni përbëhej nga kryetari i kësaj komune z. Agim Aliu, Deputeti i Parlamentit të Kosovës z. Elmi Reçica, si dhe Drejtori për Infrastrukturë në këtë komunë z. Arbër Bytyqi.

Gjatë këtij takimi u bisedua për aktivitetet e Ambasadës në Budapest, për prioritetet dhe të arriturat në implementimin e strategjisë së MPJD, në të gjitha fushat e diplomacisë.

Po ashtu u bisedua edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit të Komunës së Ferizajt me ndonjë Komunë të Hungarisë, si në ndërlidhjen e bizneseve të ferizajasve me ato hungareze, po ashtu edhe në shkëmbimet kulturore mes komunave.
Lidhur me këtë u akordua që në një të ardhme të afërt të ketë edhe një vizitë tjetër të Kryetarit z.Aliu në Budapest.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komitetit për Ballkanin Perëndimor, pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë z. Attila Galambos, si dhe përfaqësuesi i Ndërmarrjes Publike për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Budapest z. Bálint Tombor.