Follow us on:

Ambasadori Shpend Kallaba takoi Rektorin e Universitetit Loránt Eötvös (ELTE)

12 Nëntor 2020 - Ambasadori Shpend Kallaba takoi Rektorin e Universitetit Loránt Eötvös (ELTE), Prof. Dr. László Borhy, me të cilin biseduan për fillimin e bashkëpunimit në mes ketij Universiteti dhe Institucioneve tona të arsimit të lartë. Ambasadori Kallaba shprehi mirënjohjen për përvojën qindra vjeçare Universitetit me renome Elte dhe u falënderua për gatishmërinë e treguar të Qeverisë dhe Universiteteve hungareze, për të arsimuar një numër të konsiderueshëm të studentëve kosovarë, në kuadër të programit „Stipendium Hungaricum”.

Gjatë këtij takimi përpos temës së bashkëpunimit, u trajtuan edhe disa çështje të cilat i preokupojnë studentët tanë që studiojnë në këtë universitet, për të cilat Ambasadori Kallaba mori premtimin e Rektorit z. Borhy, që të gjitha këto lëshime administrative do të trajtohen me korrektësi dhe se vërejtjet e paraqitura nga Ambasadori Shpend Kallaba, do të konsiderohen dhe trajtohen me seriozitet.

Në fund palët u akorduan që pas përmirësimit të situatës pandemike do të takohen përsëri për të realizuar hapat e parë të bashkëpunimit mes Universiteteve. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Prorektori Dr. Imre Hamar, Shef i Kabinetit te Rektorit dhe Ministri Keshilltar z. Naser Idrizi.