Follow us on:

z.Kallaba dhe z.Idrizi në një takim me drejtorin e Institutit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë z. Márton Ugrósdy

29 Prill 2021 - Ambasadori Shpend Kallaba i shoqëruar edhe nga Ministri Këshilltar z. Naser Idrizi, zhvilluan një takim me drejtorin e Institutit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë z. Márton Ugrósdy, me të cilin, pas prezantimit të ndërsjellë të punës së dy institucioneve, fillimisht diskutuan për situatën aktuale rreth pandemisë, menaxhimit të saj dhe çështjes së vaksinimit. Në këtë takim shumë miqësorë u bisedua gjithashtu për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Akademisë Diplomatike të Kosovës dhe Institutit në fjalë, ku Ambasadori Kallaba theksoi nevojën e rinovimit të Memorandumit për Mirëkuptim ndërmjet dy institucioneve që ishte firmosur në vitin 2014, që do të shërbente për një bashkëpunim më të ngushtë në trajnimin e diplomatëve, në shkëmbimin e informatave dhe përvojave mes dy palëve, organizimin e leksioneve dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Drejtori Ugrósdy, shprehi kënaqësinë dhe interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit të përbashkët, ku me këtë rast si shembull prezantoi edhe pilot projekte konkrete bashkëpunimi, me shtete të tjera të cilat munden me qenë shembull edhe në rastin e Kosovës.

Gjithashtu z. Ugrósdy, shprehi dëshirën për të vizituar Prishtinën në një kohë të përshtatshme, për të takuar personalisht Presidentin e Akademisë Diplomatike të Kosovës z. Sabri Kiçmari.

Në fund të takimit të dy palët u akorduan për intensifikimin e komunikimit dhe koordinimit të përbashkët në organizimin e vizitave të ndërsjella sa më parë që është e mundur, pas normalizimit të situatës me Pandeminë Covid-19.