Follow us on:

Kallaba realizoi një takim me Sekretarin e Shtetit z. Tristan Azbej

06 Maj 2021 – Ambasadori Shpend Kallaba realizoi një takim me Sekretarin e Shtetit në Kabinetin e Kryeministrit të Hungarisë, z. Tristan Azbej, i cili është përgjegjës për çështje të komunitetit krishterë, dhe për zbatimin e programit “Hungary Helps”. Ata bashkëbiseduan rreth mundësive të bashkëpunimit në kuadër të programit “Hungary Helps”, për vizionin dhe objektivat e projekteve të mbështetura nga ky program. z. Azbej prezantoi punën e sekretarisë që ai drejton dhe veprimtarin e agjencisë qeveritare, e cila funksionon si një organizatë jofitimprurëse nën koordinimin e Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë, dhe ka për detyrë përgatitjen e projekteve ndërkombëtare për ndihma humanitare, donacione dhe grante, po ashtu edhe bashkëpunimin me agjencitë e vendeve tjera, në zbatimin e projekteve bilaterale.

z. Azbej, me këtë vlerësoi rolin e Kosovës, si shtet gjeografikisht i afërt me Hungarinë, duke shprehur kënaqësinë për të bashkëpunuar me partnerët nga Kosova.
Në këtë aspekt u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit me fondacionin e ish-Presidentes znj. Atifete Jahjaga në Kosovë, për të cilën gjë ish Presidentja znj. Jahjaga ka qenë e gatshme dhe kishte nderin për të punuar bashkë me Agjencinë “Hungary Helps”, në akordim edhe me Komunën e Kamenicës për programe të përbashkëta sidomos për të rinjtë e Kamenicës.

Qëllimi i kësaj vizite ishte për mbështetjen eventuale te komunave ne nevojë nga Fondacioni “Hungary Helps”. Bashkëbiseduesit u akorduan për intensifikimin e komunikimit dhe koordinimit të përbashkët në të ardhmen. Në këtë takim i pranishëm ishte edhe z. Zoltán Fodor, Këshilltar dhe Koordinues i Projekteve pranë Fondacionit „Hungary Helps”.

z. Azbej dhe z. Fodor, u falënderuan për vizitën dhe këtë iniciativë të Ambasadës së Kosovës në Budapest dhe Ambasadorit Shpend Kallaba.