Follow us on:

Takim në Romë i Kryeministrit Hoti me Kryeministrin Conte

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, u takua në Romë me Kryeministrin e Republikës së Italisë, z. Giuseppe Conte Me datë 4 nëntor 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, është takuar në Romë me Kryeministrin e Republikës së Italisë, Giuseppe Conte.

Kryeministri Hoti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Italisë për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës dhe ka kërkuar nga Kryeministri Conte mbështetjen e Qeverisë së tij për ta shtyrë këtë proces përpara, në veçanti vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Për më tepër, dy palët biseduan edhe për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes, duke vlerësuar lart kontributin thelbësor të Italisë në misionin e KFOR-it.

Po ashtu, Kryeministri Hoti ka insistuar në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe praninë më të madhe të investitorëve italian në Kosovë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve dhe promovimin e turizmit.

Temë e veçantë diskutimi ka qenë bashkëpunimi Kosovë-Itali, në kohën që gjithë globi po përballet me pandeminë Covid -19.  Kryeministri Hoti, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për ndihmën e grupit të mjekëve dhe infermierëve ushtarakë italianë që kanë qëndruar në Kosovë, në mbështetje të kolegëve të tyre, mjekëve kosovarë, në luftën kundër koronavirusit.