Follow us on:

Kosova falënderon Japoninë për ndihmat dhe asistencën

Prishtinë/Tokio, 17 nëntor 2020 - Sot është mbajt edicioni i tretë virtual “Asistenca dhe ndihmat e Japonisë për Kosoën” pjesë e projektit “Ta njohim më mirë Japoninë dhe Kosovën përmes ndarjes së përvojave”. Ky aktivitet është organizuar nga Asociacioni i Miqësisë Kosovare – Japoneze, me përkrahje të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës Kosovës. Me këtë rast, në hapje të këtij edicioni drejtoresha dhe themeluesja e Asociacionit të Miqësisë Kosovare – Japoneze znj. Luljeta Arifi tha se Kosova është përjetësisht mirënjohëse për mbështetjen e ofruar që nga ditët e saj më të vështira dhe vazhdon ta mbështesë me programe zhvillimi dhe projekte të vlefshme si përmes ADRA-së në të kaluarën, ashtu edhe vazhdimisht përmes JICA-s si dhe Ambasadës së Japonisë në Kosovë si dhe organizatave tjera.

Ajo ka përmendur projektet e ndryshme të financuara nga fondet japoneze duke përfshirë RTK-në, Filarmoninë e Kosovës, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrin e Shëndetësisë, Ministri i Arsimit. Znj. Arifi edhe ne këtë edicioni, kërkoi nga gjithë penalistët që ta mbështesin Kosovën përmes investimeve nga Japonia në çfarëdo fushe të ekonomisë.
Nga Tokio, përmes video-mesazhit aktiviteti u përshëndet nga znj. Toshiko Abe, Deputete në Parlamentin e Japonisë, ish-Zëvendësministre për Punë të Jashtme të Japonisë e cila e kishte vizituar Kosovën në 2019-tën.

Ajo i dëshiroi Kosovës më shumë progres, nënvizoi kontributin e JICA-s si dhe uroi për zhvillim të mëtutjeshëm të raporteve Kosovë-Japoni. Në emër të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) foli z. Takeichi Jiro, Përfaqësuesi Kryesor i Zyrës së JICA-s në Ballkan. Ai nënvizoi projektet përmes të cilave JICA ka ndihmuar Kosovën në të kaluarën dhe tani dhe planet për të ardhmen.

Z. Ken Inoue - Ish-Administrator Komunal në Skenderaj (në kuadër të UNMIK-ut në vitet 1999-2000), gjithashtu u lidh nga Tokio. Ai foli për rimëkëmbjen në Kosovë menjëherë pas luftës, si i huaji dhe japonezi i parë që kishte ardhur në Skenderaj, si dhe për përvojën e tij në atë kohë në Kosovë. Edhe znj. Fumi Onodera - Ish Drejtore Kombëtar në YMAM dhe zyrtare në Kishën Protestante në Kosove ndau me të pranishmit përvojën e saj gjatë shërbimit në Kosovë duke ndihmuar popullin kosovar.

Nga Prishtina, znj. Nezakete Hakaj – Presidente e Asocionit Alumni të JICA në Kosovë (JAAK) i përshëndeti të pranishmit dhe bëri një rezyme të shoqatës së saj. Ajo nënvizoi se JAAK ka mbi 100 anëtarë që të gjithë kanë qenë në trajnime për ngritje kapacitetesh në Japoni, ku me këtë rast i falënderoi popullin dhe institucionet japoneze. Anëtarja tjetër e Asociacionit të Miqësisë Kosovare-Japoneze znj. Besjana Musliu i përshëndeti të pranishmit. Ajo falënderoi popullin japonez për ndihmën që ja kanë ofruar asaj në sfidat që i ka pasur në jetë të shkaktuara nga lufta. Për këtë ngjarje dërgoi mesazh përshëndetës edhe znj. Shoko Hashimoto – Ish-drejtore e Programit ADRA, e cila e përshkroi përkrahjen e saj për Kosovën dhe veçanërisht për mjekimin e znj. Musliu në Japoni.

Për përvojën e saj në Kosovë si dhe për iniciativat e fundit të ndërmarra në Japoni foli znj. Yumi Yasuda – ish zyrtare në UNMIK si dhe Këshilltare për ODA në Ministrinë e Integrimit Europian në Kosovë. Ajo nënvizoi themelimin së fundmi të shoqatës së miqësisë Japoni-Kosovë të quajtur “Miqtë e Kosovës” e cila fillimisht do të fokusohet në dy drejtime: 1. Rritjen e vetëdijesimit për Kosovën në Japoni dhe 2. Shkëmbimet ndërmjet rinisë në Japoni dhe Kosovë.

Në emër të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, ka folur z. Mitsunori Ogasawara – I ngarkuar me punë, i cili përmendi sidomos aktivitetet e fundit të Qeverisë së Japonisë në Kosovë duke përfshirë rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19 dhe realizimin e projekteve përmes JICA.
Në fund, në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni, z. Enis Xhemaili – I ngarkuar me punë, i përmendi ndihmat dhe përkrahjen e Japonisë nga e ndjera Madam Sadako Ogata – ish Komisionere e UNHCR-së, deri tek kamionët e ofruar së fundmi për rajonin e Prizrenit.

Me këtë rast, z. Xhemaili i ftoi të pranishmit që të gjithë së bashku të punojnë sjelljen e investitorëve japonez në Kosovë, meqenëse Kosova ka pozitë gjeostrategjike, popullsi të re, infrastrukturë të mirë, dhe legjislacion bashkëkohorë në përputhje me atë të BE-së. Ai gjithashtu i falënderoi gjithsecilin për kontributet në zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Kosovës, si dhe organizatorët e këtyre edicioneve. Të gjithë të pranishmit u ndanë me shpresën për të bashkëpunuar tutje në të ardhmen dhe për të afruar sa më shumë dy popujt.