Follow us on:

Shoqata japoneze “Miqtë e Kosovës” i bën bashkë kosovarët dhe japonezët me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë

Tokio, 17 shkurt 2021 – Për të shënuar përvjetorin e 13-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shoqata Japoni Kosovë “Miqtë e Kosovës” ka organizuar një takim virtual me pjesëmarrës japonezë e kosovarë që luajnë rol të rëndësishëm në afrimin e dy popujve. Me këtë rast, I ngarkuari me punë a.i. në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Japoni z. Enis Xhemaili i ka përshëndetur të pranishmit, të cilëve u ka uruar Ditën e Pavarësisë dhe i ka falënderuar për kontributin e tyre në thellimin e raporteve ndërmjet popujve të të dyja shteteve. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të dyja palëve që të forcojnë edhe më shumë lidhjet duke bashkëpunuar e organizuar aktivitete të ndryshme.

Ky ishte gjithashtu një takim i veçantë sepse u takuan ‘virtualisht’ miqtë që nuk ishin parë qe 20 vite dhe u përmenden aktivitetet e ndryshme të Japonisë në Kosovë që nga paslufta. Të ndarë në dy grupe, 20+ pjesëmarrësit gjithashtu kanë diskutuar për aktivitete konkrete që do të realizojnë në të ardhmen.

Në po të njëjtën ditë, diplomatët e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni, I ngarkuari me punë a.i. Enis Xhemaili dhe Sekretari i parë Arbër Mehmeti, kanë drekuar me anëtarët e shoqatës “Miqtë e Kosovës”. Me këtë rast, përveç diskutimeve tjera, z. Xhemaili i ka inkurajuar anëtarët që posaçërisht të fokusohen në aktivitete të karakterit ekonomik dhe tregtar, për çka Kosova ka nevojë më së shumti.

Ambasada do të jetë në dispozicion të këtij komuniteti të shkëlqyeshëm për ti dhënë përkrahjen e nevojshme sipas mundësive në realizimin e synimeve të mira për afrimin e të dyja vendeve.