Follow us on:

Kosova i prezantohet publikut japonez përmes “Min-On Music Journey”

Tokio, 17 shkurt 2021 – Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Japoni dhe me rastin e përvjetorit të 13-të të Pavarësisë, shoqata Min-On Concert Association ka publikuar një reportazh të gjerë në japonisht dhe anglisht për Kosovën në kuadër të serisë online të ashtuquajtur “Min-On Music Journey / Udhëtimi muzikor i Minon-it). Pas himnit të intonuar nga Okteti Plus, përmes një video-incizimi iu është drejtuar vizitorëve të kësaj faqeje I ngarkuari me punë a.i. i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni, z. Enis Xhemaili. “Duke falënderuar Min-On Concert Association, është kënaqësi të paraqesim një pjesë të trashëgimisë sonë të çmuar kombëtare. Jemi krenarë për kulturën tonë të pasur, traditat unike, muzikën dhe vallëzimet popullore dhe moderne, peizazhet piktoreske dhe gastronominë e lezetshme - aq pak të njohur nga publiku në Japoni.” ka thënë z. Xhemaili duke deklaruar në fund se Kosova është e gatshme për turistët japonezë.

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, është përshkruar si një qytet i gjallë tregtar. Përmes fotografive mahnitëse të fotografëve kosovarë e japonezë, janë nënvizuar monumenti “NEWBORN”, biblioteka kombëtare, katedralja e sheshi Nënë Tereza, kafiteritë me makiaton e njohur, koncertet e Dua Lipës e Rita Orës, parku arkeologjik Ulpiana, strehimorja e arinjve, si dhe Manastiri i Graçanicës.

Prizreni e Gjakova me atraksionet dhe aktivitetet kulturore e artistike gjithashtu janë përmbledhur në këtë reportazh. Bakllasarma dhe sarma me fleta rrushi janë prezantuar si disa nga ushqimet më të shijshme kosovare. Traditat gorane të ngjyrosjes së fytyrës për ceremoninë e martesës janë prezantuar si diçka unike.

Ansambli “Shota” si dhe Festivali “Hasi Jehon” përmes fotove dhe videove kanë shfaqur kulturën e traditat e valleve dhe këngëve shqiptare në Kosovë. Ndërkaq një pjesë e veçantë iu është kushtuar muzikës kosovare të zhanreve të ndryshme. Për këtë arsye janë prezantuar 6 bendet kosovare në vijim: Jericho, String String, Troja, Ethnically Plugged, Offchestra, dhe Gipsy Groove, ku shikuesit kanë mundur të shikojnë nga një këngë nga secili grup të përzgjedhur nga autorët e shkrimit.

Ky reportazh është mundësi e mirë e prezantimit të Kosovës në Japoni, aq më tepër kur shoqata Min-On Concert Association i fton grupet e ndryshme botërore performuese të valleve dhe këngëve për të performuar në Japoni. Andaj shpresojmë që në të ardhmen të mund të ftohen edhe grupet e prezantuara kosovare në këtë reportazh.

Në anglisht:https://www.min-on.org/10362/min-on-music-journey-no-25-kosovo/
Në japonisht: https://www.min-on.or.jp/topics/detail_1277_.html