Follow us on:

I Ngarkuari me Punë në Tokio, z.Arbër Mehmeti, takoi Këshilltarin Special të Kryeministrit, z.Isao Iijima

Tokio, 2 mars 2021 - Arbër Mehmeti, i Ngarkuar me Punë a.i. në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio ka takuar z.Isao Iijima, Këshilltar Special i Kryeministrit Suga. “Gjithmonë kënaqësi dhe nder të takohemi me miq të Kosovës si z. Isao Iijima, ish-Konsull i Përgjithshëm Nderi i Kosovës në Japoni”, tha z.Mehmeti.

Me propozimin e Ambasadorit të Parë të Kosovës në Japoni, në shkurt të vitit 2013 z. Iijima Isao ishte emëruar Konsull Nderi i Përgjithshëm i Kosovës në Japoni, dhe këtë angazhim ai e kishte mbajtur deri në nëntorin e vitit 2020. Gjatë kësaj kohe, z. Iijima ka vizituar Kosovën tre herë dhe kontributi dhe mbështetja e tij për institucionet dhe qytetarët e Kosovës ka qenë i vazhdueshëm dhe konkret.

Ai ka bërë të mundur që Kosova të përfitojë shumë donacione, grante dhe projekte të ndryshme nga institucionet Japoneze. Përkrahja e z. Iijima është njohur edhe nga institucionet e Kosovës, Ish-Presidenti Thaçi i ka akorduar dy çmime presidenciale: “Ambasador Nderi i Republikës së Kosovës” dhe Medalje Presidenciale “Shën Nënë Tereza” për promovimin dhe afirmimin e interesave të Republikës së Kosovës në Japoni, respektivisht për kontributin e tij në fushën e humanizmit dhe paqes në Kosovë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë politike, mbi 45 vjeçare, z. Isao Iijima është këshilltari më jetëgjatë i kryeministrave të Japonisë, ai ka mbajtur këtë detyrë që nga viti 2012 si këshilltar special i ish-kryeministrit ABE Shinzo dhe ende vazhdon të jetë në të njëjtën detyrën edhe me kryeministrin e ri SUGA Yoshihide, që është emëruar në shtator të vitit 2020.

Së bashku me angazhimet e tija të përhershme në qeverinë Japoneze, z. Iijima Isao vazhdon të mbetet mik dhe mbështetës i Kosovës.