Follow us on:

I Ngarkuar me Punë, Arbër Mehmeti, vizitoi Universitetin Japonez të Imazhit Lëvizës, Shkolla për Studimin e Filmit.

Tokio, 22 mars 2021 - Arbër Mehmeti, i ngarkuar me punë a.i. në Ambasadën e Kosovës në Tokio ka vizituar Universitetin Japonez të Imazhit Lëvizës, Shkolla për Studimin e Filmit. Diplomati Mehmeti është pritur nga Presidenti i Universitetit Profesor Daisuke Tengan, Kryetari i bordit të drejtorëve Profesor Shogo Tomiyama dhe Dekani i zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Profesor Kenji Ishizaka.

Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për të biseduar dhe parë mundësitë e reja të bashkëpunimit në mes të këtij institucioni arsimor të filmit dhe partnerëve të tyre në Kosovë. Biseduam për festivalet ndërkombëtare të filmit që zhvillohen në Kosovë, respektivisht mundësitë që film bërësit nga Japonia të aplikojnë dhe të marrin pjesë në këto festivale. Gjithashtu, këtu u diskutua edhe mundësia dhe interesi për organizimin e një nate të filmit kosovar në këtë universitet të njohur.

Ishte kënaqësi të takohem edhe me profesorin Shogo Tomiyama, producent i suksesshëm i njërit nga filmave ikonë të Japonisë “Godzilla” nga viti 1989 deri në 2004. Një dhuratë simbolike, një libër e Qendrës Kinematografike të Kosovës ju dhurua Presidentit të Universitetit, Prof. Daisuke Tengan.