Follow us on:

Përfundon vizita e Zëvendës-Kryeministrit të Parë - Ministrit të Jashtëm z. Behgjet Pacolli, si dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik z. Valdrin Lluka në Japoni

Tokio, 2 mars 2018 - Z. Pacolli dhe z. Lluka përfunduan vizitën dy-ditore në Japoni. Në shoqërim të Ambasadorit Malazogu, ata takuan Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë z. Hiroshige Seko, Ministrin e Punëve të Jashtme z. Taro Kono, Ministrin e Shtetit të Financave z. Kenichiro Ueno, Zëvendës presidentin e JICA (Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) z. Kazuhiko Koshikawa, Presidentin ekzekutiv të JBIC (Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) z. Tadashi Maeda dhe institucione dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Gjatë vizitës, z. Pacolli dhe z. Lluka kanë dhënë edhe disa intervista për median japoneze.

Qëllimi i vizitës ishte inkurajimi i biznesit japonez për të investuar në Kosovë, përkrahja shtetërore japoneze për këtë qëllim, konsultime bilaterale me Japoninë për politikën e jashtme dhe përkrahja e Kosovës. Si rezultat i vizitës, Japonia ka vendosur të lëshojë vizat për kosovarët në Tiranë dhe më nuk ka nevojë të udhëtohet në Vjenë për këtë qëllim. JICA do të dërgojë një mision studimor për të shikuar mundësitë për të rritur asistencën si dhe kreditë e buta për projekte madhore si dhe hapjen e një skeme të re për të përkrahur biznesin e vogël dhe të mesëm. Delegacioni gjithashtu insistoi që Japonia të hapë Ambasadë në Kosovë, përkrahje për të sjellë një delegacion biznesi nga Japonia në Kosovë dhe tema tjera të interesit bilateral.