Follow us on:

Me rastin e Epopesë së UÇK-së përkujtohet lufta heroike e familjes Jashari

Lubjanë, 5 mars 2021 - Me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në nderim të luftës heroike të familjes Jashari të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, të premten në ambasadën e Republikës së Kosovës në Slloveni është mbajtur një tubim përkujtimor. Në pritje ishin të pranishëm përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Slloveni, veprimtari i shquar nga Prekazi që jeton në Slloveni, Hamit Jashari, dhe aktivistë të tjerë shqiptarë në Slloveni.

Me këtë rast, ambasadori Avni Kastrati ka përshëndetur të pranishmit duke bërë një përmbledhje të zhvillimeve në Kosovë që nga fillimi i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari dhe familja Jashari, e deri në ditët e sotme.

Gjatë tubimit u përkujtua dhe u nderua jeta dhe vepra e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari. Për shkak të kufizimeve të ndërlidhura me masat anti-Covid, këtë vit numri i të ftuarve ishte i kufizuar.