Follow us on:

Vizita e Ambasadorit Spahiu në kompani të njohura amerikane në Minesota

20 gusht 2010, Minesota. Nga data 17-20 gusht 2010, Ambasadori Avni Spahiu bëri një vizitë zyrtare në disa kompani të mëdha prodhuese amerikane në Minesota. Ai së pari vizitoi kompaninë Reell Precision Manufacturing Corporation e cila prodhon produkte të teknologjisë së lartë kompjuterike. Ai atje u prit nga kryetari dhe nënkryetari i kompanisë.

Ambasadori vizitoi edhe kompaninë e disejnjit industrial Worrel, në Mineapolis, me ç’rast u prit nga z. Bob Worrell, themelues dhe President i Kompanisë. Kjo kompani është një ndër më të njohurat e llojit të vet në SHBA duke u rritur në një organizatë multidisiplinare të biznesit dhe të zgjidhjes së sfidave të bizneseve amerikane, duke filluar nga fusha të tilla si hulumtimet etnografike e deri tek inxhinieria botërore.

Kompania tjetër që vizitoi ambasadori ishte ajo e disenjit fotografik dhe publikues Lifetouch në Bloomington, Minnesota, e cila specializohet në librat e përvjetorëve të shkollave e institucioneve të tjera, me një klientelë prej mbi 4 milionë njerëzish. Kjo kompani kishte sponsorizuar edhe udhëtime grupore të veprimtarëve humanistë në Kosovë pas vitit 1999.

Mbrëmjen e mërkurë, 18 gusht, për ambasadorin Spahiu u organizua një pritje e veçantë ku morën pjesë mbi 50 biznesmenë dhe pronarë kompanish lokale për të dëgjuar lidhur me mundësitë e biznesit në Kosovë. Me këtë rast ambasadori Spahiu, prezantoi një materiale për mundësitë e investimeve të huaja në Kosovë, si dhe u përgjigj për më shumë se një orë pyetjeve të të pranishmëve. Kjo qe një mundësi për të biseduar për së afërmi me përfaqësues kompanish, por gjithashtu edhe një rast për të prezantuar zhvillimet pozitive në Kosovë..

Vizita vazhdoi në kompaninë Bergquist për prodhimin e produkteve ndriçuese LED, të teknologjisë së lartë precize në Prescott, Uiskonsin, dhe kompaninë Riedell Shoes Inc., në Red Wing, Minesota. Ambasadori kosovar gjithashtu vizitoi Five Star Die Casting në Mounds View, Minnesota, dhe kompaninë multinacionale 3M, me një qarkullim vjetor prej 32,5 miliardë dollarësh dhe me përfaqësi anembanë botës. Ambasadori Spahiu u prit në këtë kompani me Presidentin për Hulumtim dhe Zhvillim, z. Ken Bartlet dhe Kryetarin e Departamentit të Përfaqësive Ndërkombëtare, z. Hector Dalton.

Ambasadori Spahiu u takua dhe u shoqërua në këtë vizitë edhe nga z. Rick Drenk, i cili kishte kontribuar në veçanti në Kovën e pas luftës, dhe i cili në dhjetë vjetët e fundit kishte përfshirë edhe shumë njerëz të tjerë në Kosovë, si dhe nga z. Joh Fix, kryetar i kompanisë promovuese EPIC.